Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet FIMK-ut dhe Trepçës SH.A
Me datë 27.05.2025, një delegacion nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike (FIMK), i kryesuar nga Dekani i Fakultetit, Prof. Ass. Dr. Faruk Ahmeti, dhe Prodekani për mësim dhe çështje studentore, Prof. Ass. Dr. Fatmir Azemi, realizoi një vizitë pune në ndërmarrjen “Trepça” Sh.A., në kuadër të përgatitjeve për hartimin e Raportit të Vetëvlerësimit (RVV) të programeve studimore.
Qëllimi i këtij takimi ishte thellimi i bashkëpunimit ndërmjet fakultetit dhe industrisë, si dhe sigurimi i kontributit të drejtpërdrejtë nga partnerët industrialë në procesin e zhvillimit dhe përmirësimit të programeve studimore në FIMK. Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e interkorporimit të ndërsjellë dhe për nevojat aktuale të ndërmarrjes lidhur me profilin e kuadrove të rinj profesionalë.
Në këtë rast u shfrytëzua edhe mundësia për të formalizuar më tej bashkëpunimin institucional, përmes vazhdimit të Memorandumit të Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit ndërmjet dy palëve. Marrëveshja u nënshkrua nga Dekani i Fakultetit, Prof. Ass. Dr. Faruk Ahmeti, dhe Kryeshefi Ekzekutiv i “Trepça” Sh.A, z. Faton Ahmeti.
Përfaqësuesit e “Trepça Sh.A” ofruan komente dhe sugjerime të vlefshme që do të merren parasysh gjatë rishikimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të kurrikulave, në mënyrë që të rritet përputhshmëria e tyre me kërkesat e tregut të punës dhe të përmirësohet punësimi i studentëve tanë.
Ky bashkëpunim dëshmon përkushtimin e FIMK për të ndërtuar ura të qëndrueshme ndërmjet akademisë dhe industrisë, me synim sigurimin e cilësisë dhe relevancës së arsimit të lartë.
