Fakulteti Juridik modernizohet me monitorë digjitalë në sallat e mësimit
Fakulteti Juridik ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës mësimore, përmes instalimit të monitorëve digjitalë në sallat e ligjëratave. Kjo nismë synon të përmirësojë cilësinë e procesit arsimor dhe të ofrojë një ambient më bashkëkohor për studentët dhe profesorët.
Pajisjet digjitale do të mundësojnë prezantime më interaktive, përdorimin e materialeve vizuale dhe multimediale, si dhe një komunikim më të lehtë e efektiv mes profesorëve dhe studentëve. Përmes këtyre teknologjive, procesi mësimor bëhet më dinamik, më praktik dhe më afër standardeve moderne të arsimit të lartë.
Ky projekt përfaqëson përkushtimin e Fakultetit Juridik për të avancuar cilësinë akademike dhe për të krijuar kushte sa më të mira për zhvillimin profesional të studentëve. Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Islam Qerimi, shprehu mirënjohje dhe falënderim të veçantë ndaj Rektoratit për mbështetjen e vazhdueshme dhe përkrahjen në realizimin e këtij projekti, duke theksuar se investime të tilla janë thelbësore për përgatitjen e juristëve të rinj në një mjedis modern e inovativ.
