Konferenca

Rektori Musaj po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare “Plagjiatura në Evropë dhe përtej”

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare “Plagjiatura në Evropë dhe përtej”, që po mbahet ne Brno të Republikës Çeke. Në këtë konferencë ku po marrin pjesë universitete të ndryshme nga e gjithë bota, janë të pranishëm përfaqësues të disa universiteteve publike të Kosovës.

Kjo konferencë synon të jetë një forum për ndarjen e praktikave më të mira dhe përvojën në adresimin e çështjeve të integritetit akademik. Ka folës të ftuar, si dhe prezantime të studiuesve nga e gjithë bota, letrat e të cilave do të kalojnë procesin e rishikimit të kolegëve.

Rektori Musaj, vlerësoi këtë si një rast të mirë për të ndarë përvojën sa i përket integritetit akademik që po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në arsimin e lartë në të gjithë Evropën. Sipas tij, shumë universitete po kërkojnë politika efektive, mjete elektronike zbulimi dhe metoda parandalimi.

Konferenca është organizuar bashkërisht nga Universiteti Mendel në Brno, Rrjeti Evropian për Integritetin Akademik dhe Këshilli i Evropës.