FOTO 1

Fakulteti Juridik i UIBM pjesëmarrës në bashkëorganizimin e Kongresit të Shkencave Humane, Sociale dhe të Arteve

Fakulteti Juridik i Universitetit “Isa Boletini” Mitrovicë (UIBM) mori pjesë me nder dhe përgjegjësi akademike në bashkëorganizimin e Kongresit  të Shkencave Humane, Sociale dhe të Arteve, i cili, ashtu si edhe vitin e kaluar, po zhvillohet në Universitetin Shtetëror të Tetovës (UT).

Ky kongres mblodhi studiues, akademikë dhe ekspertë nga fusha të ndryshme për të trajtuar një temë aktuale dhe thelbësore për rajonin tonë:
“Procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian: pritshmëritë juridike kundrejt realitetit politik.”

Ky bashkëorganizim përbën një dëshmi të qartë të angazhimit të Fakultetit Juridik të UIBM në promovimin e bashkëpunimit akademik ndëruniversitar, shkëmbimit të ideve dhe zhvillimit të hulumtimeve shkencore që kontribuojnë në forcimin e dialogut rajonal dhe europian.

Në ceremoninë hapëse të kongresit, Dekani i Fakultetit Juridik të UIBM, Prof. Dr. Islam Qerimi, në fjalimin e tij përshëndetës u shpreh se ndihet i privilegjuar për mundësinë që ky forum shkencor po bashkon 56 punime shkencore nga fusha juridike të fakulteteve të ndryshme të rajonit, të cilat do të kontribuojnë ndjeshëm në avancimin e mëtejshëm të cilësisë kërkimore, si dhe në pasurimin e debatit akademik dhe shoqëror.

Ndër të tjera, Prof. Dr. Qerimi theksoi:

Kjo temë është thelbësore për rajonin tonë, sepse integrimi evropian nuk është vetëm një objektiv politik, por një proces i thellë transformimi juridik, institucional dhe shoqëror. Pikërisht këtu roli i akademisë bëhet vendimtar në analizën kritike të reformave, në nxitjen e mendimit të pavarur juridik dhe në formimin e brezave të rinj juristësh që do të udhëheqin këto procese me integritet dhe profesionalizëm.”

Nëpërmjet pjesëmarrjes në këtë aktivitet shkencor të 5 profesorëve, Fakulteti Juridik i UIBM rikonfirmon misionin e tij për të ndërtuar ura bashkëpunimi ndërmjet institucioneve akademike, për të nxitur analizën kritike të proceseve juridike dhe politike që shoqërojnë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, si dhe për të forcuar rolin e shkencës juridike në zhvillimin demokratik dhe institucional të rajonit.

Ky aktivitet përforcon rolin e Universitetit “Isa Boletini” Mitrovicë si një qendër moderne e dijes dhe e dialogut ndërdisiplinor, e përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe zhvillimit të qëndrueshëm akademik e shoqëror.

Andaj, dekani Qerimi i shpreh falënderim të veçantë Dekanit nikoqir të Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Safet Emruli, për mikpritjen dhe për mundësimin e realizimit të suksesshëm të këtij aktiviteti me rëndësi kërkimore-shkencore për të gjithë pjesëmarrësit.

Duhet theksuar se në ceremoninë e hapjes së këtij kongresi ishte e pranishme edhe Rektorja e UIBM, Prof. Dr. Nurten Deva.

Foto 5
Foto 5
Foto 4
Foto 3
Foto 2
Foto 5Foto 4Foto 3Foto 2
Shperndaj ne: