Vendosen Mobile Urbane të Mençura në hapësirat e UIBM
Në hapësirat e jashtme të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë janë vendosur të hënën Mobile Urbane të Mençura (Urban Smart Furniture) sipas modeleve të vendeve të Bashkimit Evropian. Kjo është realizuar nga Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Zonave Urbane.
Në ceremoninë në e përurimit të kësaj pajisje, ishte i pranishëm prodekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, prof.ass.dr. Afrim Osmani, studentë si dhe zyrtarë të MMPHI-së. Prodekani Osmani tha se është një projekt që pasuron më tepër Universitetin dhe rritë mundësitë për studentët dhe komunitetin universitar në përgjithësi.
Një fjalë rasti e mbajti Besmir Kokollari, udhëheqës i Divizionit për Projektet e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Ministrinë e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Ai tha se këto pajisje të dhuruara për studentët shërbejnë si shembull i përkushtimit ndaj inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm mjedisor dhe njëherit për të nxitur dhe fuqizuar studentët të krijojnë dhe të zhvillojnë zgjidhje të reja teknologjike dhe miqësore me mjedisin.


