J3

Dekani i Fakultetit Juridik, Islam Qerimi, viziton Muzeun e Trepçës dhe ndan mirënjohje pas përmbylljes me sukses të projektit Fulbright

Pas përmbylljes me sukses të projektit me titull “Internationalizing UIBM’s Legal Curriculum for Impact”, Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Prof. dr. Islam Qerimi, për nder të profesoreshës Ellen Yee së bashku me Prorektorin për Sigurimin e Cilësisë në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, Prof. dr. Sabri Avdullahi dhe prof.ass.dr. Zahir Çerkini, realizoi një vizitë zyrtare në Muzeun e Trepçës.

Delegacioni u mirëprit nga drejtori i muzeut, z. Fidaim Sahiti, i cili prezantoi historikun e minierës së Trepçës, llojet e mineraleve që nxirren nga kjo minierë, si dhe rëndësinë e tyre për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e popullit dhe shtetit të Kosovës. Prof. Ellen Yee u njoh nga afër me vlerat industriale, kulturore dhe ekonomike të kësaj trashëgimie të rëndësishme kombëtare.

Pas vizitës, Dekani Islam Qerimi shtroi një drekë përshëndetëse, gjatë së cilës u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen ndërmjet institucioneve akademike kosovare dhe amerikane, me fokus në avancimin e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe shkëmbimeve akademike.

Në përmbyllje të kësaj agjende, Dekani Qerimi ndau mirënjohje për udhëheqësit e projektit, Prof. Ellen Yee dhe Prof. ass. dr. Zahir Çerkini, në prani të Prodekanit për Cilësi dhe Marrëdhënie me Jashtë, Prof. asoc. dr. Arbnor Ajeti, Kryetares së Parlamentit Studentor të Fakultetit Juridik, znj. Liridiona Salihu, si dhe një grupi studentësh.

Me këtë rast, Dekani Islam Qerimi falënderoi profesorët Yee dhe Çerkini për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm dhe angazhimin e tyre në aktivitetet akademike dhe institucionale me Fakultetin Juridik, duke kontribuar në ndërkombëtarizimin e kurrikulës, ndërtimin e kapaciteteve në Legal English dhe zhvillimin profesional të stafit akademik.

J4
Shperndaj ne: