Fakulteti Juridik mirëpret doktorantë në kuadër të mobilitetit akademik
Fakulteti Juridik ka mirëpritur aplikimin dhe ardhjen për mobilitet akademik të dy kandidatëve të doktoratës nga Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë, Maqedonia e Veriut, duke dëshmuar edhe një herë përkushtimin e tij ndaj bashkëpunimit ndëruniversitar dhe ndërkombëtarizimit të studimeve doktorale.
Me këtë rast, Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Islam Qerimi, së bashku me Prof. ass. dr. Mimoza Aliu, pritën zyrtarisht në ambientet e dekanatit dy doktorantët, të cilët do të realizojnë një periudhë mobiliteti në institucionin tonë.
Dekani Qerimi i përgëzoi kandidatët për përzgjedhjen e Fakultetit Juridik si institucion pritës, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimeve akademike në ngritjen e cilësisë së kërkimit shkencor dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal. Ai u ofroi mbështetje të plotë institucionale, duke garantuar qasje në të gjitha burimet akademike dhe shkencore të fakultetit, si dhe mundësi bashkëpunimi të drejtpërdrejtë me kuadrin profesional në fushat përkatëse juridike.
Gjatë qëndrimit të tyre, doktorantët do të kenë mundësi të angazhohen në diskutime akademike, të shkëmbejnë përvoja profesionale dhe të trajtojnë çështje të avancuara juridike në bashkëpunim me stafin akademik dhe administrativ të Fakultetit Juridik.
Fakulteti Juridik mbetet i përkushtuar në promovimin e mobilitetit akademik, forcimin e partneriteteve ndëruniversitare dhe krijimin e një mjedisi të hapur për zhvillimin e avancuar shkencor dhe profesional.
