Homazhe për ish-studentin, Selman Vojvoda, në 36-vjetorin e rënies
Një delegacion i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë ka bërë homazhe të premten me rastin e 36-vjetorit të rënies së studentit, Selman Vojvoda, në afërsi të Urës së Gjakut në Mitrovicë. Prorektori për Zhvillim Akademik dhe Cilësi, prof.dr. Sabri Avdullahi, drejtori për Informim dhe Komunikim me Publikun, Ahmet Jashari si dhe zyrtarë dhe studentë kanë përkujtuar dhe nderuar ish-studentin në vendin e rënies ku qëndron edhe një pllakë përkujtimore.
Ai ishte vra nga regjimi serb më 20 shkurt të vitit 1990, duke qenë në ballë të demonstruesve në Mitrovicë, të cilët, ashtu si në gjithë Kosovën, po kërkonin liri dhe demokraci për shqiptarët. Në varrimin e tij në Llaushë kishin marrë pjesë mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova, duke dërguar si mesazh vendosmërinë e popullit të Kosovës për të vazhduar rrugën e lirisë.
Emri i Selman Vojvodës u shndërrua në simbol të qëndresës dhe guximit për rininë studentore dhe gjithë popullin shqiptar të Kosovës, të cilët po përjetonin robërinë dhe dhunën e shfrenuar nga regjimi serb. Në shenjë nderimi dhe vlerësimi për veprën e tij heroike, është dekoruar me medalje presidenciale nga presidenti Hashim Thaçi.
Selman Vojvoda, ka lindur në Llaushë të Skenderajt në vitin 1968. Pas përfundimit të shkollimit fillor dhe të mesëm, ai kishte nisur studimet në Fakultetin Xehetaro-Metalurgjik në Mitrovicë.


