Mësimdhënës dhe studentë të FIMKU-ut realizuan mobilitet në Austri
Në kuadër të programit CEEPUS “Social Impact of Distance Learning”, u realizua mobilitet në University of Education Upper Austria në Linz, Austri, gjatë periudhës 22.02.2026 – 01.03.2026, ku morën pjesë Prof. Asoc. Dr. Eliza Avdiu si staf akademik dhe dy studente nga FIMK. Gjatë kësaj jave, u realizuan aktivitete mësimore dhe bashkëpunuese bashkë me studentë ndërkombëtarë, përfshirë punëtori, sesione Barcamp dhe Hackathon ku studentët zhvilluan një ide aplikacioni në mbështetje të Autism Society, duke demonstruar kreativitet, punë ekipore dhe aftësi praktike në zgjidhjen e problemeve reale.
Punëtoritë u zhvilluan gjatë gjithë javës në grupe dhe sesione të ndryshme diskutimi, ku u trajtuan tema me interes dhe u nxit shkëmbimi aktiv i ideve, me përfshirje edhe të mësimdhënësve. Programi përfshinte gjithashtu vizita në shkolla për të vëzhguar inovacionet në arsim dhe dhe praktikat më të mira të sistemit austriak të shoqeruara me sesione reflektimi mbi përvojat e fituara. Një komponent i veçantë ishte eksplorimi i Linzit përmes detyrave të strukturuara, ku studentët njëkohësisht njihnin qytetin dhe reflektonin mbi çështje të ndryshme.
Aktivitetet u plotësuan me mbrëmje kulturore dhe prezantime ndërkombëtare, ku përfaqësimi i Kosovës u vlerësua pozitivisht. Ky mobilitet shërbeu si një urë lidhëse për bashkëpunime të mëtejshme dhe pasurimin e përvojave akademike të studentëve tanë në rrugëtimin e tyre profesional.




