Rektori Musaj mori pjesë në shënimin e 1-vjetorit të Universitetit “Nënë Tereza”
Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, mori pjesë në shënimin e një-vjetorit të themelimit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Të pranishëm në këtë përvjetor të këtij insitucioni të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni, ishin edhe rektorë të universiteteve të tjera publike dhe private nga Kosova dhe Shqipëria.
Rektori i Universitetit “Nëna Terezë” në Shkup, Aziz Pollozhani, i ka falënderuar mysafirët për pjesëmarrje dhe përkrahjen që kanë ofruar për këtë universitet të ri, por tepër të rëndësishëm për shqiptarët në Maqedoni. “Si institucion i ri akademik, Universiteti “Nënë Tereza” ka gjetur mbështetje gjithandej ku jetojnë shqiptarët, duke pasur parasysh avancimin e frymës akademike në Maqedoni”.
Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, ka riafirmuar përkushtimin për intesfikimin e bashkëpunimit me Universitetin “Nënë Tereza”, duke pasur parasysh edhe një marrëveshje bashkëpunimi të nënshkruar në prill të këtij viti. “Ne jemi të gatshëm që mundësitë dhe përvojën tonë ta vëmë në dispozicion të studentëve dhe mësimdhënësve të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup”, tha ai.
Në kuadër të këtij manifestimi, Universiteti “Isa Boletini” ishte një nga bashkëorganizatorët e konferencës dy ditore me temën: “Drejt zhvillimit të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor: qasjet, mangësitë dhe sfidat”, synimi i së cilës ishte prezantimi dhe diskutimi i arritjeve kryesore në zhvillimin e qëndrueshëm në nivel global.