Eksperti ndërkombëtar Wilhelm Poeschel mbajti ligjërata profesionale në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore të UIBM-së
Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), përkatësisht Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore (FTU), dhe organizatës Initiative for Agricultural Development of Kosovo (IADK), më 8 dhe 9 tetor 2026, Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore mirëpriti ekspertin ndërkombëtar të SES (Senior Experten Service), Wilhelm Poeschel, i cili zhvilloi një sërë ligjëratash dhe aktivitetesh profesionale me studentët dhe stafin akademik.
Vizita filloi me një takim zyrtar me Dekanin e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, Prof. Dr. Mensur Kelmendi, gjatë të cilit u prezantuan aktivitetet akademike dhe kërkimore të Fakultetit, si dhe u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave profesionale në fushën e teknologjisë dhe sigurisë ushqimore.
Në kuadër të programit të ditës së parë, më 8 tetor, eksperti Wilhelm Poeschel mbajti ligjëratën me temë “Understanding the EC Food Chain – How Quality- and Food-Safety Management Are Organized in the Food Chain”, gjatë së cilës trajtoi organizimin dhe menaxhimin e cilësisë dhe sigurisë ushqimore përgjatë zinxhirit ushqimor, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të standardeve dhe praktikave të përshtatshme në industrinë ushqimore. Ligjërata u shoqërua me diskutime dhe pyetje nga studentët dhe stafi akademik.
Aktivitetet vazhduan më 9 tetor me vizitën e ekspertit në laboratorët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, përfshirë Laboratorin e Mikrobiologjisë Ushqimore, ku u prezantuan kapacitetet laboratorike, pajisjet dhe aktivitetet analitike që realizohen në kuadër të Fakultetit. Gjatë vizitës u zhvilluan diskutime profesionale mbi organizimin dhe funksionalitetin e laboratorëve, mundësitë për përmirësimin e kushteve laboratorike, si dhe përafrimin e praktikave analitike me kërkesat e kontrollit të cilësisë dhe sigurisë ushqimore.
Në vazhdim, eksperti mbajti dy ligjërata të tjera profesionale: “Sensory Evaluation – A Method of Monitoring” dhe “Microbiological Evaluation – A Method of Verification”. Ligjëratat u fokusuan në rëndësinë e vlerësimit ndijor si metodë për monitorimin e cilësisë së produkteve ushqimore dhe në rolin e analizave mikrobiologjike si mjete të rëndësishme për verifikimin e sigurisë dhe cilësisë ushqimore.
Në këto aktivitete, nga stafi akademik i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore morën pjesë Bahtir Hyseni, Mirsade Osmani, Dafina Llugaxhiu, Gonxhe Kajtazi dhe Arbnora Durmishaj, të cilët u përfshinë në diskutimet profesionale dhe shkëmbimin e përvojave lidhur me metodat e kontrollit, monitorimit dhe verifikimit të cilësisë dhe sigurisë ushqimore.
Vizita dyditore përbëri një mundësi të rëndësishme për studentët dhe stafin akademik që të përfitojnë nga përvoja dhe ekspertiza ndërkombëtare, duke kontribuar në zgjerimin e njohurive profesionale dhe në forcimin e lidhjes ndërmjet njohurive teorike dhe zbatimit të tyre praktik në industrinë ushqimore.
Aktiviteti u përmbyll me diskutime mbi mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm dhe shkëmbimit të përvojave, duke theksuar rëndësinë e iniciativave të tilla për zhvillimin akademik, profesional dhe kërkimor të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore.




