DSC 1300

Memorandum Bashkëpunimi me OJQ Yellow

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, i përfaqësuar nga prorektori, prof. ass. dr. Safet Abdullahu, ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Organizatën Joqeveritare Yellow, të përfaqësuar nga drejtori ekzekutiv, Fatlum Gigiqi.

Marrëveshja synon të krijojë ura lidhëse ndërmjet arsimit të lartë dhe mundësive të zhvillimit profesional, duke u ofruar studentëve mundësi për të fituar përvojë praktike dhe për të zhvilluar aftësi që u nevojiten në tregun e punës.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi parashihen mundësi për praktikë profesionale, mentorim, trajnime dhe punëtori në fusha si orientimi në karrierë, sipërmarrja, marketingu, aftësitë digjitale dhe edukimi financiar. Po ashtu, palët synojnë të nxisin përfshirjen e studentëve në projekte zhvillimore, iniciativa vullnetare dhe aktivitete që promovojnë inovacionin, qytetarinë aktive dhe përfshirjen sociale.

Përmes këtij partneriteti, UIBM dhe Yellow synojnë të kontribuojnë në përgatitjen e të rinjve për sfidat profesionale, duke krijuar mundësi që njohuritë e fituara gjatë studimeve të ndërthuren me përvojën praktike dhe kërkesat e tregut të punës.

OJQ Yellow është organizatë joqeveritare që vepron në Kosovë në mbështetje të të rinjve, grave dhe komuniteteve. Përmes programeve të edukimit, mentorimit dhe zhvillimit të aftësive, organizata synon të zgjerojë mundësitë për punësim, sipërmarrje dhe pjesëmarrje aktive në shoqëri.

DSC 1313
Shperndaj ne: