IMG 20261022 WA0006

Filloi edicioni VIII i “Konferencës Ndërkombëtare Multidiciplinare për Gjeoshkencë”

Ka filluar të enjten në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë edicioni VIII i “Konferencës Ndërkombëtare Multidiciplinare për Gjeoshkencë” e cila organizohet nga Fakulteti i Gjeoshkencave, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe Ministria e Ekonomisë. Gjatë dy ditëve sa zgjasin punimet e kësaj konference do të prezantohen 30 punime nga studiues brenda dhe jashtë vendit.

Konferencën e shpalli të hapur prof.dr. Kemajl Zeqiri, kryesues i Këshillit Organizativ, i cili tha se në mesin e prezantuesve ka studiues vendorë dhe ndërkombëtarë që vijnë nga vende të ndryshme, si Gjermania, Italia, Turqia, Bullgaria dhe Sllovenia. “Ky organizim përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme në fushën e gjeoshkencave, duke synuar të krijojë një platformë bashkëpunimi dhe shkëmbimi të njohurive ndërmjet studiuesve, akademikëve profesionistëve dhe vendimmarrësve”, tha Zeqiri.

Në vazhdim një fjalë rasti e ka mbajtur dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, prof.dr. Festim Kutllovci, ndërsa në emër të UIBM, foli rektorja, prof.dr. Nurten Deva. Ajo falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe ata që janë angazhuar për organizimin e kësaj konference dhe edicioneve paraprake.

Rektorja Deva tha se kjo konferencë paraqet një ngjarje të rëndësishme për Universitetin, por duke qenë se ka karakter ndërkombëtar gjithsesi është edhe një aktivitet i shënuar në kalendarin shkencor jo vetëm në vend, por edhe më gjerë.  “Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, sivjet ka shënuar 13-vjetorin e themelimit, por Mitrovica ka 65 vjet traditë akademike të ndërlidhur drejtpërdrejtë me fushën e gjeoshkencave. Pasuritë nëntokësore në qytetin dhe rajonin tonë, minierat e famshme të “Trepçës” dhe industria minerare në përgjithësi në Kosovë është menaxhuar dhe zhvilluar nga ekspertët dhe kuadrot e dala nga institucionet akademike që ishin hapur në qytetin e minatorëve”.

 

Ajo shprehu kënaqësinë që kjo traditë e zhvillimit të gjeoshkencës po vazhdon në Mitrovicë. Jemi të lumtur që Universiteti “Isa Boletini” është bërë pikë reference për studiuesit dhe shkencëtarët e kësaj fushe nga vendi dhe bota. Shpreh kënaqësinë që jemi bashkë këtu për dy ditë, për të prezantuar punën shkencore dhe hulumtimet e fundit në fushën e gjeoshkencës”, tha rektorja Deva, duke ju uruar punë të mbarë të gjithë pjesëmarrësve.

 

Me fjalë rasti janë paraqitur edhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë,  Muhedin Nushi, zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencës dhe Arteve, akademik, Fejzullah Krasniqi, zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, mandej Habib Basholli nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,  Fatban Bunjaku.

Pas ceremonisë hapëse, puna ka vazhduar me panelistët dhe mandej me grupe pune.

IMG 6994
Shperndaj ne: