DCIM.00 01 35 20.Still006

THIRRJE PËR APLIKIM PËR MOBILITET TË STAFIT AKADEMIK NË KUADËR TË PROGRAMIT ERASMUS+

Universiteti pritës: West Pomeranian University of Technology (WPUT), Szczecin, Poloni
Fusha e studimit: Ekonomi
Lloji i mobilitetit: Mobilitet për mësimdhënie
Semestri: Semestri veror i vitit akademik 2026/2027

Universiteti “Isa Boletini” Mitrovicë, në kuadër të programit Erasmus+, hap thirrje për aplikim për mobilitet të stafit akademik në West Pomeranian University of Technology (WPUT), në Szczecin, Poloni.

Përmes këtij mobiliteti synohet të mundësohet shkëmbimi i përvojave akademike dhe praktikave të mira në mësimdhënie, zhvillimi profesional i stafit akademik dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

1. Numri i vendeve dhe kohëzgjatja e mobilitetit

Në kuadër të kësaj thirrjeje janë në dispozicion:

  • 2 mobilitete për mësimdhënie;
  • 5 ditë pune për çdo mobilitet;
  • 2 ditë shtesë për udhëtim.

Mobilitetet planifikohen të realizohen gjatë semestrit veror të vitit akademik 2026/2027, duke filluar nga muaji mars 2027.

2. Kush mund të aplikojë?

Në këtë thirrje mund të aplikojnë anëtarët e stafit akademik të Universitetit “Isa Boletini” Mitrovicë, të cilët janë të angazhuar në fushën e Ekonomisë dhe dëshirojnë të zhvillojnë aktivitete mësimore në institucionin pritës.

Kandidatët duhet të kontaktojnë paraprakisht koordinatorin përkatës të fakultetit në universitetin pritës për të dakorduar datat e mobilitetit dhe përmbajtjen e programit të mësimdhënies.

Koordinatori i Fakultetit të Ekonomisë në WPUT:

Maciej Oesterreich
E-mail: [email protected]

3. Aktivitetet e mobilitetit

Gjatë qëndrimit në universitetin pritës, kandidati i përzgjedhur do të realizojë aktivitete të mësimdhënies në përputhje me fushën e tij akademike dhe programin e dakorduar me fakultetin pritës.

Mobiliteti synon të kontribuojë në:

  • Shkëmbimin e përvojave dhe metodave bashkëkohore të mësimdhënies;
  • Zhvillimin e bashkëpunimit akademik ndërmjet dy universiteteve;
  • Identifikimin e mundësive për bashkëpunim të mëtejshëm në kuadër të programit Erasmus+.

4. Dokumentet e nevojshme për aplikim

Kandidatët e interesuar duhet të përgatisin dokumentet e kërkuara për procesin e aplikimit dhe nominimit, përfshirë:

  • CV-në;
  • Letrën e motivimit;
  • Planin e propozuar të mësimdhënies;
  • Dëshminë e njohjes së gjuhës angleze;
  • Konfirmimin ose letrën e dakordimit nga fakulteti pritës për datat dhe përmbajtjen e mobilitetit, sipas kërkesave të universitetit pritës.

Kriteret e përzgjedhjes

Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

    1. Përputhshmëria akademike dhe profesionale (30 pikë) – përvoja akademike dhe profesionale në fushën e Ekonomisë dhe përputhshmëria me fushat e interesit të universitetit pritës.
    2. Cilësia e planit të mësimdhënies (25 pikë) – qartësia e objektivave, relevanca e përmbajtjes dhe rezultatet e pritshme të mobilitetit.
    3. Motivimi dhe përfitimet institucionale (20 pikë) – arsyetimi për pjesëmarrje, zhvillimi profesional dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
    4. Njohja e gjuhës angleze (15 pikë) – kërkohet njohja e gjuhës angleze në nivelin së paku B2, në përputhje me Kornizën e Përbashkët Evropiane të Referencës për Gjuhët (CEFR). Kandidatët duhet të dorëzojnë dëshmi përkatëse të njohjes së gjuhës.
    5. Pjesëmarrja e mëparshme në mobilitete Erasmus+ (10 pikë) – përparësi do t’u jepet kandidatëve që nuk kanë marrë pjesë më parë në mobilitete Erasmus+ për staf.

    Vlerësimi do të kryhet nga Komisioni përkatës në bazë të dokumentacionit të dorëzuar dhe kritereve të përcaktuara në këtë thirrje. Në rast të pikëve të barabarta, përparësi do t’i jepet kandidatit me vlerësimin më të lartë për planin e mësimdhënies.

    Nominimi nga Universiteti “Isa Boletini” Mitrovicë nuk garanton pranimin përfundimtar, i cili bëhet nga universiteti pritës sipas procedurave të tij.

5. Procedura dhe afati i aplikimit

Kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentet në [email protected] 

Rezultatet e përzgjedhjes duhet t’i përcillen universitetit pritës në përputhje me afatet e dakorduara ndërmjet institucioneve. Afati për aplikim është 9 Nëntor 2026

Datat përfundimtare të mobilitetit duhet të dakordohen me fakultetin pritës, duke marrë parasysh edhe kohën e nevojshme për procedurat e vizave, nëse aplikohen.

6. Financimi

Mobiliteti realizohet në kuadër të projektit Erasmus+ KA171. Informacionet për grantet dhe mbështetjen financiare për stafin hyrës mund të gjenden në faqen zyrtare të universitetit pritës:

https://www.erasmuska171.zut.edu.pl/pol/grants-for-incoming-students-and-staff.html

Për informata shtesë lidhur me aplikimin, dokumentacionin dhe procedurat e nominimit, kandidatët mund të kontaktojnë Zyrën për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Universitetit “Isa Boletini” Mitrovicë.

Shperndaj ne: