7

Universiteti “Isa Boletini” ngritet për 1846 vende në ranglistën botërore të universiteteve

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, është ngritur për 1846 vende në ranglistën botërore të universiteteve. Ky rangim ka dalur nga azhurnimi i fundit  nga “Webometrics”, që paraqet ranglistën më gjithëpërfshirëse të vlerësimit të institucioneve të arsimit të lartë në të cilën numri i institucioneve që vlerësohen është rreth 30 mijë.

Në vlerësimin e fundit që ishte bërë në  muajin korrik 2017, Universiteti “Isa Boletini”, ishte ngritur  për 1988 vende.  Ndryshe nga vlerësimet e janarit 2017, në këtë ranglistë janë përfshirë edhe institucionet e arsimit të lartë në Kosovë që nuk ishin pjesë e vlerësimeve të mëhershme.

Rektori Alush Musaj, tha se ngritja për 3 834 vende për më pak se një vit në ranglistën botërore të universiteteve, paraqet një arritje të madhe. “Në muajin mars do ta shënojmë pesë vjetorin e themelimit të Universitetit, prandaj kjo arritje në ranglistën botërore na gëzon dhe na motivon edhe më shumë për ngritjen e cilësisë në universitetin tonë”, tha ai.

Ndryshe “Webometrics” ka filluar të konsiderohet si një nga ranglistat më të rëndësishme botërore sepse ndjek trendet e transformimit të arsimit të lartë me mbështetjen e teknologjisë së komunikimit e informimit. Rangimi sipas

“Webometrics” merr për bazë njohjen e nivelit të mirë të punës shkencore të botuar, si dhe përmbajtjen dhe shpërndarjen e informacionit nga burimet elektronike nga institucionet përkatëse.

“Webometrics” është ranglistë e grupit hulumtues Cybermetrics Lab, që është pjesë e institucionit më të madh kërkimor publik në Spanjë, Këshillit të lartë për kërkime shkencore (CSIC).

Në top universitetet botërore, listës i prijnë universitetet amerikane, të udhëhequr nga Universiteti i Harvardit, ndërsa më së larti në Evropë është ranguar Universiteti i Oksfordit.