Prof. Asoc. Dr. Mirsade Osmani përfaqëson Universitetin “Isa Boletini” në takimin rajonal të RCC-së në Athinë
Prof. Asoc. Dr. Mirsade Osmani, Prodekane për Cilësi dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimor, përfaqësuese e universiteteve të Kosovës dhe anëtare e Grupit të Punës për Zbulimin e Sipërmarrjes (S3 EDP) në fushën e Industrisë Agroushqimore, mori pjesë në takimin rajonal të organizuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC), me 3–4 nëntor në Athinë, Greqi.
Takimi u organizua në kuadër të iniciativës për forcimin e ekosistemeve rajonale të Strategjive të Specializimit të Mençur (S3) në Ballkanin Perëndimor, në bashkëpunim me Econet (FundingBox Group), ndërsa nikoqir ishte Instituti për Sistemet e Komunikimit dhe Kompjuterikës (ICCS) i Universitetit Teknik Kombëtar të Athinës (NTUA).
Gjatë takimit u diskutuan praktikat evropiane në zbatimin e Strategjive S3, mundësitë e bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimi i projekteve të përbashkëta në fushat e agroushqimit, turizmit, energjisë dhe qëndrueshmërisë. Vëmendje e veçantë iu kushtua identifikimit dhe zhvillimit të ideve për projekte në kuadër të programeve evropiane të financimit, përfshirë thirrjen Excellence Hubs 2026.
Pjesëmarrja e Prof. Asoc. Dr. Mirsade Osmanit, në cilësinë e përfaqësueses institucionale të UIBM-së dhe anëtares së grupit rajonal S3 EDP, kontribuon në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të universitetit, promovimin e kapaciteteve kërkimore dhe akademike të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe krijimin e mundësive të reja për partneritete rajonale në fushën e agroushqimit, inovacionit dhe bioekonomisë qarkore.



