Rektori Musaj po merr pjesë në një konferencë për arsimin e lartë në Gjenevë
Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, po merr pjesë në “Konferencën Ndërkombëtare për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë”, që po mbahet në Gjenevë. Përveç Universitetit “Isa Boletini”, në këtë konferencë janë të pranishëm edhe përfaqësues universiteteve tjera kosovare, mandej nga rajoni dhe bota.
Konferenca është organizuar nga UNESCO në bashkëpunim me organizata rajonale dhe globale që merren me arsimin e lartë. Në kuadër të kësaj konference më 15 dhe 16 shkurt në Gjenevë mbahet takimi konsultativ për Evropën Perëndimore, ku po diskutohet për rolin e sigurimit të cilësisë për arsimin e lartë, për sfidat dhe trendet.
Rektori, Alush Musaj, tha se është një konferencë mjaft e rëndësishme për arsimin e lartë, me pjesëmarrje të gjerë nga universitete dhe organizata të ndryshme botërore. “Është një përvojë e mirë, ku diskutohet për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë. Në këtë kontekst ne presim që të përfitojmë nga praktikat më të mira”.
Sipas tij, rritja e cilësisë në arsim është shndërruar në prioritetin kryesor edhe në Universitetin “Isa Boletini”. “Tashmë kur po bëhemi gati të festojmë 5-vjetorin e themelimit të Universitetit dhe vendosjen në kampusin e ri, me të gjitha forcat do të orientohemi në rritjen e cilësisë”, theksoi ai.