Fakulteti Juridik vlerëson studentët e dalluar për suksesin e tyre akademik gjatë vitit 2025/2026
Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për promovimin e ekselencës akademike dhe vlerësimin e arritjeve të studentëve, Fakulteti Juridik i Universitetit “Isa Boletini”në Mitrovicë (UIBM) ka ndarë certifikata me titullin “Student i Dalluar” për studentët që kanë shënuar rezultate të shkëlqyera akademike gjatë vitit akademik 2025/2026.
Certifikatat u ndanë nga Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Islam Qerimi dhe u.d. Sekretarja e këtij Fakulteti Arbëri Xhylani, në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për studentët të cilët kanë arritur ndër notat mesatare më të larta në programin e studimeve Bachelor në Fakultetin Juridik. Me këtë rast, Dekani Prof. Dr. Islam Qerimi theksoi se ndarja e këtyre certifikatave përfaqëson një vlerësim institucional për përkushtimin e vazhdueshëm, seriozitetin dhe angazhimin e dëshmuar nga studentët gjatë studimeve universitare.
Ai vlerësoi se rezultatet e arritura nga këta studentë janë dëshmi e punës së palodhshme, disiplinës dhe përkushtimit ndaj dijes, duke përbërë një shembull frymëzues për të gjithë komunitetin studentor. Fakulteti Juridik e konsideron promovimin dhe vlerësimin e suksesit akademik si pjesë të rëndësishme të misionit të tij arsimor dhe institucional. Përmes nismave të tilla, synohet të nxitet motivimi, të kultivohet kultura e ekselencës akademike dhe të inkurajohet konkurrenca e shëndoshë ndërmjet studentëve. Studentët e vlerësuar me titullin “Student i Dalluar” për vitin akademik 2025/2026 janë:
1. Azra Qorraj
2. Hanife Aliu
3. Liridona Hyseni
4. Liridona Kajtazi
5. Sanije Kurti
6. Teuta Uka
7. Mirjeta Parduzi
8. Rona Tmava
9. Arjeta Parduzi
10. Artesa Voca
11. Arbër Hoxha
12. Donat Imeraj
13. Adis Zeqiri
Fakulteti Juridik i përgëzon të gjithë studentët e vlerësuar për arritjet e tyre akademike dhe u uron suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tyre universitar dhe profesional. Suksesi i tyre është dëshmi se përkushtimi ndaj dijes, puna e vazhdueshme dhe serioziteti janë themelet e një të ardhmeje të suksesshme profesionale!
