Picture1

Stafi i Universiteti “Isa Boletini” merr pjesë në Konferencën II Kombëtare për Ujërat në Shqipëri

Me ftesë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Prorektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Prof. Dr. Sabri Avdullahi, dhe anëtari i Këshillit Drejtues, Prof. Dr. Naser Peci, morën pjesë në Konferencën II Kombëtare për Ujërat, e cila u mbajt më 20–21 nëntor 2026, në Shqipëri.

Konferenca, e organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, përmes Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike dhe Njësisë Kërkimore të Gjeoshkencave dhe Gjeoinxhinierive, kishte për temë “Ndryshimet klimatike dhe siguria e ujërave nëntokësore në Shqipëri – nga monitorimi dhe mirëqeverisja te përshtatja, ruajtja dhe burimet alternative”.

Në hapje të konferencës, Prof. Dr. Sabri Avdullahi mbajti një fjalë përshëndetëse në emër të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë. Me këtë rast, ai përshëndeti organizatorët dhe pjesëmarrësit, duke vlerësuar rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla shkencore dhe të bashkëpunimit ndërinstitucional në adresimin e sfidave që lidhen me menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike.

Në kuadër të konferencës, anëtarë të stafit akademik prezantuan punime shkencore që trajtuan çështje me rëndësi në fushën e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore, ndikimin e ndryshimeve klimatike, si dhe monitorimin dhe mbrojtjen e ujërave nëntokësore në Kosovë. Gjithashtu, Prof. Dr. Sabri Avdullahi ishte udhëheqës i njërit prej sesioneve shkencore të konferencës, duke kontribuar në mbarëvajtjen e tij dhe në zhvillimin e diskutimeve shkencore.

Konferenca trajtoi një nga sfidat më të rëndësishme të kohës sonë: sigurinë dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore. Uji është një burim jetik për ekosistemet, zhvillimin ekonomik, bujqësinë dhe mirëqenien e shoqërisë. Në kushtet e ndryshimeve klimatike dhe të presioneve gjithnjë në rritje mbi burimet natyrore, monitorimi, mbrojtja dhe shfrytëzimi racional i ujërave kërkojnë qasje të koordinuara dhe angazhim të përbashkët institucional e shkencor. Në këtë drejtim, konferenca shërbeu si një platformë për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave profesionale, si dhe për nxitjen e bashkëpunimit në funksion të mbrojtjes dhe administrimit të qëndrueshëm të burimeve ujore.

Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Universitetit “Isa Boletini” në këtë aktivitet dëshmon angazhimin e universitetit për të qenë pjesë aktive e zhvillimeve shkencore dhe akademike rajonale, për të promovuar rezultatet e punës kërkimore-shkencore dhe për të kontribuar në forcimin e bashkëpunimit me institucionet akademike dhe shkencore në fushat me interes të përbashkët.

Picture2
Shperndaj ne: