Ministri Çeku mbajti takim me studentë për Strategjinë e Arsimit 2035+
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka mbajtur të premten takim me studentë në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, ku është diskutuar për Strategjinë e Arsimit 2035. Ministri fillimisht i njoftoi studentët për takimet që janë duke u mbajtur me studentë, mësimdhënës dhe palë të tjera në kuadër të konsultave për hartimin e Strategjisë së Arsimit.
Ai theksoi se paraprakisht duhet një analizë dhe studim shumë serioz për të krijuar një pasqyrë të qartë për gjendjet e arsimit dhe nevojave që ka. “Vitin e ardhshëm do të bëhet analizë e tregut të punës që do të jetë bazë për hartimin e Strategjisë”.
Ministri vlerësoi kontributin e studentëve dhe palëve të tjera të përfshira në këto diskutime publik. Ai gjithashtu dha përgjigje edhe për pyetje konkrete të shtruara nga studentët.
Këta të fundit u interesuan për të ardhmen e universiteteve, mbështetjen e projekteve shkencore për studentë, lehtësimin e bashkëpunimit me industri për punë praktike etj.






