PS

Drejtuesit e Parlamentit Studentor vizituan Kolegjin AAB

Drejtuesit e Parlamentit Studentor të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë do të bashkëpunojnë me kolegët e tyre nga Kolegji AAB në Prishtinë, me qëllim të shkëmbimit të përvojave në fusha të ndryshme. Për këtë u bisedua gjatë një vizite që drejtuesit e Parlamentit Studentor të Universitetit “Isa Boletini”, realizuan në Kolegjin AAB.

Kryetari i Parlamentit Studentor, Shend Musliu, tha se kanë biseduar për rolin e studentëve në vendimarrje. “Biseduam për përvojat më të mira sa i përket përfaqësimit të studentëve në mekanizmat vendimarrës në universitet”.

Poashtu, ai theksoi se janë dakorduar me përfaqësuesit e studentëve në AAB për të bashkëpunuar në organizimin e debateve të përbashkëta, mandej punëtorive të ndryshme me interes për studentët etj. “Na kanë pritur jashtëzakonisht mirë dhe jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin që kemi filluar”, tha ai, duke falënderuar edhe rektoratin për mbështetje sa i përket aktiviteteve të tyre studentore.

Në anën tjetër, kryetarja e studentëve të Kolegjit AAB, Flaka Vitaku, ka falënderuar studentët nga Mitrovica për vizitën dhe interesimin për të bashkëpunuar në fusha të ndryshme.