Rektori Musaj, mori pjesë në konferencën “Plagjiatura në Evropë dhe Përtej 2018”
Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, ka marrë pjesë në konferencën “Plagjiatura në Evropë dhe Përtej 2018”, që është mbajtur në Izmir të Turqisë. Në konferencë ishin të pranishëm përfaqësues të universiteteve nga vende të ndryshme të botës, ku u diskutuan praktikat më të mira për integritetin akademik.
Rektori Musaj, tha se konferenca ndërkombëtare “Plagjiatura në Evropë dhe Përtej”, synon të jetë një forum për ndarjen e praktikave dhe përvojave më të mira duke adresuar çështjet e integritetit akademik. “Konferenca sjell së bashku disa emra të shquar në fushën e integritetit akademik nga e gjithë bota. Sa i përket rolit vendimtar të etikës dhe ndershmërisë në punën akademike, universitetet kanë nevojë për politika më efektive kundër shkeljeve të standardeve akademike”.
Sipas tij, ndër të tjera konferenca synon të kontribuojë në standardizimin e qasjeve të qëndrueshme dhe transparente të çështjeve të integritetit akademik nga disa perspektiva, të tilla si zbulimi dhe parandalimi i plagjiaturës, ndikimi i softuerit që përputhet me tekstin, llojet e plagjiaturës, normat e mësimdhënies së praktikave më të mira institucionale dhe kombëtare. “Meqenëse integriteti akademik konsiderohet i lidhur në mënyrë kulturore, politikat dhe praktikat e standardizuara që lidhen me çështjet etike kërkojnë një shqyrtim të kujdesshëm të disa rasteve të lidhura me vende të ndryshme”.
Kjo konferëncë është organizuar bashkërisht nga Universiteti Çanakaj Onsekiz Mart, Universiteti Mendel në Brno dhe Rrjeti Europian për Integritetin Akademik dhe është bashkëfinancuar nga Programi Erasmus + i Bashkimit Evropian.