Rektori Musaj, zhvilloi takim me rektorin e ri të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë
Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, i shoqëruar nga këshilltari, Ylber Januzaj, ka realizuar një takim me rektorin e ri të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, Abdylmenaf Bexheti. Ndryshe rektori Musaj, ishte i pranishëm edhe në ceremoninë e pranimit të detyrës nga rektori Bexheti, ku ishin të pranishëm zyrtarë dhe personalitete të jetës politike dhe shoqërore nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.
Rektori Musaj, fillimisht e uroi homologun Bexheti për detyrën e re, në krye të Universitetit të Evropës Juglindore, ku ka një numër të konsiderueshëm të studentëve nga Kosova. “Është një detyrë me përgjegjësi të lartë, sfiduese, por në të njëjtën kohë edhe privilegj të drejtosh një insitucion të arsimit të lartë, sikur Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë”.
Në anën tjetër, rektori Bexheti, ka falënderuar homologun e tij, Musaj, për vizitën dhe mbështetjen e ofruar. “Është një ndjenjë mjaft e mirë dhe ndjehem i inkurajuar nga vizita dhe mbështetja juaj”, tha ai.
Ndryshe të dy rektorët janë dakorduar që të intensifikojnë bashkëpunimin e filluar më herët ndërmjet dy universiteteve. Ata shprehën vullnetin që të ofrojnë të gjitha mundësitë për mësimdhënësit dhe studentët e njërit apo tjetrit universitet, në të mirë të ngritjes së cilësisë së përgjithshme në arsimin e lartë si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni.