U ndanë mirënjohje për zhvillimin e jetës akademike dhe konsolidimin e Universitetit “Isa Boletini”
Në një ceremoni të organizuar të enjten në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, janë nderuar me mirënjohje personalitete, mësimdhënës në pension, mësimdhënës post-mortum dhe bartës të organeve drejtuese, që kanë kontribuar në zhvillimin e jetës akademike në Mitrovicë si dhe konsolidimit të Universitetit. Ky aktivitet është mbajtur në përmbyllje të vitit 2018, kur Universiteti “Isa Boletini” ka mbushur 5 vjet, ndërsa jeta akademike në Mitrovicë 57 vjet.
Fillimisht për të pranishmit e mbledhur në sallën e konferencave të rektoratit në kampusin e ri universitar, është shfaqur një film për rrugëtimin e jetës akademike në Mitrovicë dhe Universitetin “Isa Boletini”. Në film janë përmbledhur sfidat dhe sukseset e jetës akademike në qytetin e minatorëve.
Mandej të pranishmëve me një fjalë rasti ju drejtua, rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musa. Ai ju uroi mirëseardhje mysafirëve që kanë qenë dhe janë pjesë e jetës akademike në Mitrovicë. “Sivjet janë mbushur 5 vjet të Universitetit “Isa Boletini” dhe 57 vjet të jetës akademike në Mitrovicë, prandaj ju kemi ftuar sot në prag të ndërrimit të moteve për t’ju falënderuar për kontributin tuaj”.
Ai tha se i kanë ftuar për të ndarë me ta kënaqësinë dhe gëzimin e përbashkët për fillimin e punës në kampusin e ri universitar. Gjithashtu rektori paralajmëroi se bashkërisht me Ministrinë e Administratës Publike do të organizojnë edhe një manifestim madhështor me qëllim të përurimit të këtij kampusi..
Rektori Musaj, theksoi se gjenerata të tëra mësimdhënësish do të nderohen meqë kanë bërë shumë për jetën akademike në qytetin e minatorëve. “Ju i keni dhënë jetë këtij qyteti, edhe atëherë kur gjithçka dukej e vdekur, ju i keni dhënë dritë edhe atëherë kur gjithçka dukej e errët. Prandaj më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, të shpreh respektin më të sinqertë për ju”.
Ai përkujtoi se jeta akademike në Mitrovicë, ka ndarë fatin me jetën e qytetarëve të këtij qyteti. “Ka ndarë të mirën dhe të keqen. Tash po mbushen afër 30 vjet që studentët dhe mësimdhënësit e atëherë Shkollës së Lartë dhe fakulteteve që kanë qenë në kuadër të Universitetit të Prishtinës dhe tash Universitetit “Isa Boletini”, kanë frymuar jashtë objekteve të tyre në veri të qytetit”.
Sipas tij, dashuria për dijen është treguar më e fortë se dhuna. “Përkushtimi i juaj për të rinjtë dhe të ardhmen e këtij vendi ka sfiduar të gjitha pengesat. Nuk jeni dorëzuar as atëherë kur rrezikohej edhe jeta juaj. Keni punuar në shtëpi private, në bodrume, por nuk jeni ndalur. Prandaj nuk është ndalur as jeta akademike dhe tashmë po e ndajmë bashkërisht gëzimin tonë të përbashkët”.
Rektori Musaj, tha se kampusi i ri universitar në zemër të qytetit do të qëndroj këtu përherë, si një fanar që ndriçon të ardhmen dhe nuk fiket kurrë, ashtu si nuk fiket as djersa dhe përkushtimi i atyre që kanë kontribuar për dijen dhe gjeneratat e reja.