Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant. Rrahman Rama, mbajti ligjëratë për procesin e formimit të Ushtrisë së Kosovës
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant. Rrahman Rama, ka mbajtur të mërkurën një ligjëratë para studentëve të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë për procesin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës. Ligjërata është organizuar nga dekani i Fakultetit Juridik, prof..dr. Agron Beka, i cili ka falënderuar gjeneralin Rama për gatishmërinë e tij për të mbajtur ligjëratë para studentëve. Paraprakisht gjen. Rama është takuar edhe rektorin, prof.asoc.dr. Alush Musaj, i cili i ka uruar komandantit të FSK-së, formimin e Ushtrisë.
Gjen. Rama, tha se me formimin e Ushtrisë është rrumbullakësuar shtetësia e Kosovës. “Ushtria e Kosovës do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Komandanti i FSK-së, theksoi se institucioni që ai drejton që 7 vjet me radhë del më i besueshmi tek qytetarët. “Kjo na obligon që të punojmë shumë në mënyrë që Ushtria e e Kosovës të jetë profesionale krahas anëtarëve të NATO-së”.
Sipas tij, FSK-ja është produkt i NATO-së, prandaj ekziston besimi i madh për një Ushtri profesionale dhe në shërbim të qytetarëve. “Ushtria e Kosovës nuk paraqet rrezik për askë, ne nuk e rrezikojmë askë, por jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë”, theksoi ai.
Ai i ftoi të rinjtë që të bëhen pjesë e FSK-së, duke pasur parasysh se së shpejti do të rekrutohen edhe rreth 2500 ushtarë të rinj. “Ata që e duan uniformën do të kenë rast të bëhen pjesë e Ushtrisë së Kosovës”.
Në fund studentët kanë shtruar pyetje të ndryshme në lidhje me procesin e transformimit dhe aspekte të tjera që lidhen me Ushtrinë.