UMIB ngritet për 4 mijë vende në listën e rangimit në mesin e 29 mijë universiteteve botërore
Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) është ngritur për 4 mijë vende në ranglistën e institucioneve të arsimit të lartë në botë në përditësimin e fundit të të publikuar nga Webometrics (Spanish National Research Council). Në mesin e 29 mijë universiteteve nga i gjithë globi, UMIB është renditur në vendin e 12627.
Ndryshe, UMIB është pozicionuar në vendin e dytë pas Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në nivel vendi. UP-ja është ranguar në vendin e 1471-të në botë.
Rektori i UMIB-it, Alush Musaj, e ka vlerësuar si një lajm jashtëzakonisht të mirë ngritjen për 4 mijë vende në listën e universiteteve botërore. “Duke pasur parasysh rrethanat dhe sfidat me të cilat jemi përballur, ky rangim është një arritje jashtëzakonisht e madhe për UMIB-in që na gëzon dhe na motivon për të ecur tutje”, tha ai.