Aktivitete praktike të studentëve të Fakultetit Ekonomik

Në kuadër të planprogramit të studimeve në lëndën e Ndërmarrësisë, studentët e vitit të dytë të Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” së bashku me profesoreshën Ajtene Avdullahi vizituan ëmbëltoren Ballkan si dhe Restaurantin Ballkan Special në Mitrovicë. Gjatë kësaj vizite studentët patën mundësi të njihen me një biznes tradita e të cilit është trashëguar familjarisht me gjenerata. Studentët u pritën nga pronari i biznesit Bajram Bajrami i cili i njoftoi ata gjerësisht me historikun e biznesit të tyre dhe se si ka arritur biznesi kaq gjatë të qëndrojë në treg. Me një traditë mbi 70 vjeçare familja Bajrami fillimisht hapi biznesin në Magurë të Lipjanit, e më vonë në vitin 1957 depërtuan në tregun e Mitrovicës me Ëmbëltoren Ballkan, ku pregaditeshin ëmbësira tradicionale me origjinë nga Turqia, vendi ku edhe familja Bajrami kishte mësuar zanatin. Si pasojë e rritjes së kërkesës dhe përballjes me konkurrencën familja Bajrami zgjeroi biznesin edhe me restaurantin modern Ballkan Special me një llojlojshmëri produktesh përfshirë edhe ëmbëlsirat moderne si dhe ushqimin e shpejtë. Edhe pse aktualisht ofron rreth 60 lloje të ëmbëlsirave dhe pijeve, pija e njohur boza, shampiteja dhe ëmbësirat tradicionale në ëmbëtoren Ballkan shijojnë ndryshe dhe janë unike andaj ende janë ndër produktet më të kërkuara. Sipas Z. Bajramit fokusi ndaj konsumatorëve dhe rritja e knaqësisë së tyre është çelësi i suksesit dhe jetëgjatësisë së ndërmarrjeve në treg.

Foto A