Rektorati

Reagim ndaj vlerësimit të njëanshëm dhe tendencioz të paraqitur në raport të akreditimit institucional ndaj Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”

Konstatimet e dy ekspertëve nga Rumania, njëri prej të cilëve student, të paraqitur në raport të akreditimit institucional ndaj Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB),  janë shumë tendencioze, subjektive dhe aspak në përputhje me gjendjen faktike dhe juridike në këtë Universitet. Angazhimi i Ana Prisacariu, dhe një studenti nga Rumania në ekipin e ekspertëve, dëshmon më së miri dozën e subjektiviteti që e kanë treguar këta “dy ekspertë” në raportin e tyre, i cili përmban shumë konstatime të paqena, shtrembërime të fakteve me të vetmin qëllim që institucionin ta dëmtojnë sa më shumë.

Vetë fakti se shumica absolute e programeve të studimit në Universitet janë të akredituara dhe veprimtaria akademike zhvillohet në një kampus shumë modern dhe më të mirin në regjion (më të mirë se çdo universitet publik në Rumani), dëshmon se qëllimi i këtyre dy ekspertëve ka qenë që nga fillimi tendencioz dhe me qëllime të caktuara – dëmtimin e imazhit dhe subjektivitetit të UMIB-it. Këtë edhe më shumë e forcon fakti se ekspertja, Ana Prisacariu, në vitin 2014 kur UMIB ka qenë në objekte të përkohshme (që nuk kanë qenë aspak në nivelin e dëshiruar) ka dhënë vlerësim pozitiv institucional. Ndërsa, përkundër faktit se UMIB-i ka kampusin më të mirë në regjion, jep vlerësim negativ institucional. Kjo nuk do shumë koment!

Prandaj, ne shprehim indinjatë të thellë dhe revoltën tonë shumë serioze për një abuzim të tillë nga dy ekspertët rumun të instrumentalizuar (për qëllime të caktuara) dhe kërkojmë nga institucionet tona relevante që t’i parandalojnë këto lojëra me prapavijë joakademike, gjegjësisht politike nga qarqe të caktuara.