Riakreditohen 8 programe në UMIB
Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC), ka riakredituar 8 programe që funksionojnë në kuadër të fakulteteve të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB). Këto programe, në nivelin bachelor dhe master, janë riakredituar për një periudhë 3-vjeçare. Tashmë në UMIB janë të akredituara gjithsej 18 programe në të dy nivelet.
Në ndërkohë UMIB-i është në pritje të vendimit zyrtar nga KSHC-ja sa i përket riakreditimit institucional, në mënyrë që të shfrytëzoj të drejtën e ankesës. Drejtuesit e UMIB-it janë të bindur se argumentet që kanë janë bindëse për të marrë një përgjigje pozitive sa i përket akreditimit institucional.
Vendimi i KSHC-së për mosakreditim institucional që pamundëson regjistrimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2019/20, vlerësohet skandaloz, i pabazuar në gjendjen faktike dhe shumë i dëmshëm për Universitetin dhe të rinjtë e rajonit. Si rrjedhojë kërkohet ndërhyrja e drejtuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të ndaluar veprime të tilla të papërgjegjshme të KSHC-së.
Për çdo risi sa i përket zhvillimeve që kanë të bëjnë me riakreditimin institucional, opinioni do të njoftohet me kohë. Ndërsa studentëve që janë pjesë e UMIB-it u bëhet me dije se UMIB-i nuk do të mbyllet dhe ata do të vazhdojnë studimet e tyre normalisht.