20190801 111202

Studiues nga vende të ndryshme pritet të marrin pjesë në “Konferencën Ndërkombëtare Multidiciplinare në Gjeoshkencë”

 “Konferenca Ndërkombëtare Multidiciplinare në Gjeoshkencë”, e cila do të mbahet në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), më 10 dhe 11 tetor 2019, ka zgjuar interesim tek shkencëtarët nga shumë vende të botës. Kjo u tha të enjten në takimin e Këshillit Organizativ (Fakulteti i Gjeoshkencave, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Shërbimi Gjeologjik i Kosovës), ku ishte i pranishëm edhe rektori i UMIB-it, Alush Musaj. 

Sipas organizatorëve deri me 20 korrik 2019, kur është mbyllur afati, për pjesëmarrje në konferencë janë regjistruar 86 pjesëmarrës. U bë e ditur se janë dorëzuar gjithsej 55 abstrakte, prej të cilave janë pranuar 42 sosh.

Përveç studiuesve nga universitetet vendore, në konferencë do të marrin pjesë edhe studiues dhe shkencëtarë nga vende të ndryshme të botës, si nga Finlanda, Italia, Polonia, Turqia dhe Sllovenia. Studiuesit që vijnë nga jashtë janë kryesisht profesorë në universitetet, me të cilat Fakulteti i Gjeoshkencave ka bashkëpunim.

Rektori, Alush Musaj, përgëzoi organizatorët për punën që po bëjnë. Ai tha se një konferencë e tillë ndikon në rritjen e interesimit të studentëve për punë shkencore si dhe në prestigjin e universitetit. Ai premtoi mbështetje për të gjitha fazat e konferencës. 

Ndryshe në takimin e Këshillit Organizativ u vendos për ftesat që duhet të dërgohen për institucionet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, të cilat do të kenë rastin dhe mundësinë që t’i shpalosin të arriturat e tyre etj.