Studentët mitrovicas bashkëpunojnë me ata të Universitetit të Evropës Juglindore

 

Studentët e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) dhe ata të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë do të bashkëpunojnë ngushtë në sfera me interes të përbashkët. Për këtë u dakorduan drejtuesit e studentëve të të dy universiteteve, gjatë një takimi të përbashkët në ambientet studentore në Tetovë, ku u nënshkrua edhe një memorandum mirëkuptimi.

Kryetari i Parlamentit Studentor të UMIB-it, Fitim Latifaj, tha se gjatë vizitës në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, janë njoftuar me përvojat e organizimit të studentëve atje. “Vizita është realizuar me ftesë të studentëve të Universitetit të Evropës Juglindore. Në grupin tonë ka pasur drejtues të këshillave të studentëve nëpër fakultete. Ka qenë një vizitë shumë e frytshme për ne”, tha ai.

Latifaj theksoi se gjatë qëndrimit atje, kanë parë edhe hapësirat universitare që shfrytëzohen nga studentët.   “Studentët zhvilluan takime të shumta dhe u pritën nga udhëheqës të njësive akademike, ku u diskutua për çështje me interes për studentët ku vlen të theksohet memorandumi i bashkëpunimit për modelin ” exchange ” me qëllim avancimin e studentëve nga të dy palët”.

Studentët e UMIB-it kanë marrë pjesë edhe në ligjëratën me temën ” Nasa’s journey to Mars “. Ndryshe Parlamenti Studentor i UMIB-it ka shtrirë bashkëpunimin edhe me student të universiteteve të ndryshme në Shqipëri.