Tryeza

U mbajt diskutimi me temë: “Edukimi për Paqe dhe Rini”

Drejtues dhe përfaqësues të institucioneve, shoqërisë civile, studentë dhe të rinj morën pjesë në diskutimin “Edukimi për Paqe dhe Rini”, që u mbajt të premten në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM). Panelistë në këtë tryezë të organizuar nga një grup organizatash për nder të Ditës Botërore të Paqes ishin:  Prof.asoc.dr. Edita Bekteshi, prorektore për Bashkëpunim Ndërkombëtar në UIBM, prof.dr. Bekim Baliqi, dekan i Fakultetit Filozofik në UP, znj. Afёrdita Sylaj Shehu, drejtoreshё ekzekutive në CBM – Mitrovicё, Prof.ass.dr. Mensur Morina  nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë dhe znj. Rrezearta Zhinipotoku Behluli, eksperte e arsimit nё fushёn e edukimit pёr paqe.

Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar në UIBM, prof.asoc.dr. Edita Bekteshi, ju uroj mirëseardhje mysafirëve në cilësinë e mikpritësit. Ajo gjithashtu falënderoi organizatorët që kanë zgjedhur Universitetin “Isa Boletini” për këtë ngjarje.

Duke folur për rolin e universitetit sa i përket edukimit për paqe, ajo tha se këto janë institucione ku njohuritë dhe vlerat zhvillohen dhe shpërndahen, duke kontribuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë. “Në këtë kontekst, roli i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë për paqe mund të analizohet nga disa këndvështrime kryesore: Edukimi për paqen, promovimi i dialogut dhe tolerancës, ndërtimi i liderëve të ardhshëm etj”.