Studentët e shënojnë 4-vjetorin e themelimit të Universitetit me aktivitete të shumta
Me rastin e 4-vjetorit të themelimit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Parlamenti Studentor ka organizuar aktivitete të ndryshme gjatë këtyre ditëve. Shënimi i këtij përvjetori ka nisur me disa lojëra rekreative për studentë në oborrin e Universitetit, ku janë përfshirë një numër i madh studentësh.
Në këtë kuadër studentët kanë organizuar edhe një vizitë në kampusin e ri universitar, ku së shpejti pritet të zhvendoset Universiteti “Isa Boletini”. Kryetari i Parlamentit të Studentëve, Fitim Latifaj, tha se janë impresionuar me objektin e ri që pothuajse është gati për t’i pritur studentët.
Ai tregoi se përveç këtyre aktiviteteve, Parlamenti i Studentëve ka organizuar edhe një debat me studentë dhe mësimdhënës të Universitetit të Mitrovicës dhe Universitetit të Gjilanit, për të ardhmen e universiteteve të reja. Sipas tij, aktivitetet do të përmbyllen me gara në sporte të vogla.
Latifaj, tha se aktivitetet në përgjithësi kanë kaluar mirë dhe janë mirëpritur prej studentëve. Ai falënderoi drejtuesit e Universitetit për mbështetjen sa i përket organizimit të këtyre aktiviteteve dhe uroi të gjithë studentët dhe mësimdhënësit për këtë përvjetor.