Urimi i rektorit Musaj për 4-vjetorin e themelimit të Universitetit “Isa Boletini”

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, jua uron të gjithë studentëve, mësimdhënësve dhe stafit administrativ 4-vjetorin e themelimit të  Universitetit. Me këtë rast ai vlerëson edhe përkushtimin e të gjithëve për konsolidimin e Universitetit, duke pasur parasysh sfidat e fillimit.

Përkushtimi i të gjithëve, sipas tij, ka bërë që rrugëtimi 4-vjeçar i Universitetit “Isa Boletini” të quhet i suksesshëm. “Tradita e gjatë akademike na ka ndihmuar që të konsolidohemi shpejtë, ndërsa organizimi i mirë ka bërë që sfidat t’i kalojmë lehtë”.

Rektori Musaj, thekson se ky është përvjetori i fundit që shënohet në objekte të improvizuara, meqë viti i ri akademik do të nis në kampusin e ri universitar. “Ky padyshim se është lajmi më i mirë për studentët, mësimdhënësit dhe stafin administrativ, por edhe për vetë Mitrovicën dhe të gjithë ata që janë të lidhur me Universitetin tonë”.

Ai shprehu vendosmërinë për të vazhduar drejt sukseseve të reja. “Kemi krijuar raporte shumë të mira bashkëpunimi me universitete prestigjioze nëpër botë. Kemi mësimdhënës dhe studentë tanë që janë bërë pjesë e këtyre universiteteve të mëdha. Jemi në rrugën e duhur dhe jemi të bindur se bashkërisht do të shndërrojmë Universitetin “Isa Boletini” në një rrëfim të suksesshëm”, tha ai.

Me këtë rast, rektori Musaj, uron edhe për Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Përvjetori i Universitetit tonë përkon edhe me këtë datë të madhe kombëtare, siç është Epopeja e  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjë që na bën krenar dhe na motivon për të vazhduar përpara. Sakrifica e Adem Jasharit dhe të gjithë të rënëve për liri na obligon për ndërtimin e së ardhmes më të mirë”, tha ai.