U themelua Federata e Sporteve Universitare të Kosovës
Me iniciativën dhe organizimin e Komitetit Olimpik të Kosovës, është mbajtur Asambleja themeluese dhe zgjedhore e Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës (FSUK), ku u miratua edhe Statuti dhe Emblema e FSUK. Pjesëmarrës në Asamblenë e FSUK ishin 29 delegatë nga 19 Universitete dhe Kolegje publike dhe private nga tërë territori i Republikës së Kosovës.
Asamblistët zgjodhën organet drejtuese të FSUK-së, presidentin e Federatës, zv. presidentin, katër nënkryetarë dhe katërmbëdhjetë anëtarë të Bordit Ekzekutiv. Sipas Statutit të FSUK, një sportist për anëtar të Bordit Ekzekutiv (BE) do të emërohet nga Presidenti i FSUK-së.
Në mbledhjen e parë të BE të FSUK me propozim të presidentit do të zgjedhet sekretari i përgjithshëm dhe arkëtari i FSUK-së. Delegatët e Asamblesë së FSUK kanë diskutuar edhe një serë temash me rëndësi dhe kanë marrë disa vendime me qëllim të organizimit dhe funksionimit sa më të mirë të FSUK dhe aktivizimit sa më të shpejt të degëve të ndryshme sportive në universitetet dhe kolegjet e Kosovës. U vendos që 9 Marsi të shënohet si dita e sportit universitar të Kosovës.