Edittaa

UIBM pjesë e Konferencës: “Roli i Universiteteve në Zhvillimin Socio-Ekonomik Rajonal të Balancuar”

Personeli i UIBM së bashku me studentë ishte pjesë e konferencës së organizuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal, me titull: Roli i Universiteteve në Zhvillimin Socio-Ekonomik Rajonal të Balancuar.  Gjatë konferencës u diskutua roli i universiteteve si promotorë të inovacionit për një zhvillim rajonal të balancuar, i cili përbën një sfidë të rëndësishme.

Në konferencë u theksua se kurrikulat universitare duhet të përshtaten sipas nevojave të vendit dhe të jenë në përputhje me kërkesat e ekonomisë së tregut. Gjithashtu universitetet nuk duhet të fokusohen vetëm në dhënien e diplomave, por të shndërrohen në aktorë kryesorë për zhvillimin lokal dhe global, ndwrsa studentëve duhet t’u ofrohen mundësi për të prezantuar idetë e tyre, për t’u përfshirë në rrjetëzime dhe për të qenë pjesë aktive e ndryshimeve – veçanërisht në epokën e inteligjencës artificiale (AI).

Interaktiviteti në procesin mësimor duhet të jetë baza për ndryshimin e mënyrës së të menduarit dhe të mësuarit, që përfshin edhe reformimin e kurrikulave dhe programeve. Programet akademike duhet të jenë ngushtë të lidhura me bizneset, duke krijuar ura bashkëpunimi ku universitetet marrin feedback për përmirësimin e tyre, ndërsa komuniteti i biznesit kontribuon me informacione për nevojat reale të tregut.

U theksua gjithashtu rëndësia jetike e përfshirjes në projekte si Erasmus+ dhe Horizon, për një zhvillim rajonal të qëndrueshëm dhe një ekonomi të balancuar. Një tjetër pikë e diskutimit ishte fuqizimi i qendrave të inovacionit dhe gjetja e formave më efektive të bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe kompanive. Çdo formë bashkëpunimi është e favorshme për të dyja palët – një marrëdhënie “fitim-fitim”.

U theksua roli i universiteteve, në bashkëpunim me sektorin privat, për të kaluar në modele të reja që mundësojnë angazhim të përbashkët në zhvillimin e produkteve inovative. Universitetet sjellin ide të reja për sektorin privat dhe kontribuojnë në zhvillim përmes “misionit të tretë” – transferimit të dijes. Ky mision përfshin promovimin e vlerave, ndarjen e ekspertizës dhe të njohurive (know-how), dhe përshtatjen me trendet e reja, përfshirë zhvillimet në fushën e inteligjencës artificiale.

Në përfundim, u nënvizua se universitetet duhet të jenë më shumë sesa institucione arsimore – ato duhet të jenë motorë të zhvillimit ekonomik, social dhe teknologjik. Duke ndërtuar partneritete të forta me sektorin privat dhe duke orientuar kurrikulat drejt praktikës dhe inovacionit, universitetet mund të kontribuojnë ndjeshëm në krijimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme për të gjithë rajonin. Vetëm përmes një qasjeje të bashkërenduar dhe vizionare mund të arrihet zhvillimi i vërtetë dhe i balancuar rajonal.

Shperndaj ne: