U mbajt “Tech Fest 2025”
Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) është mbajtur të martën “Tech Fest 2025”, ku shkolla, institucione të ndryshme dhe biznese kanë prezantuar prodhimet dhe shërbimet e tyre. “Tech Fest 2025” është organizuar nga “London English School” me mbështetje të Komunës së Mitrovicës, UIBM dhe partnerëve të tjerë dhe kanë marrë pjesë drejtues dhe përfaqësues të institucioneve, biznesit, studentë, nxënës etj.
Rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva, ka përgëzuar “London English School” dhe gjithë partnerët për këtë organizim që ka mbledhur drejtues të institucioneve publike, njerëz të botës së shkencës, biznesit etj. Ajo shprehu kënaqësinë edhe për faktin se UIBM është bërë pjesë e këtij organizimi.
Ajo tha se kontributi i UIBM, përveç pjesës akademike, sigurisht është shtrirë edhe në bashkëpunimin me komunitetin dhe në këtë rast me institucionet dhe biznesin. “Kjo është edhe trekëndëshi i suksesit në botën moderne, meqë nuk mund të ketë sukses nëse këto tri hallka janë të shkëputura me njëra – tjetrën”.
Fjalë rasti kanë mbajtur edhe nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri, drejtoresha e Arsimit, Drita Kadriu, drejtoresha e “London English School”, Albina Hoti etj. Drejtoresha Hoti theksoi se kjo është një mundësi për punë në kompanitë që do të janë të pranishme që ofrojnë praktika, internship dhe vende pune për studentë, mandej lidhja me profesionistë të teknologjisë, inovatorë dhe sipërmarrës etj.
Në hollin ku janë prezantuar institucionet dhe bizneset, një stendë e kishte edhe UIBM nëpërmjet Qendrës për Zhvillim në Karrierë dhe Parlamentit Studentor.





