U mbajt tryeza shkencore në kuadër të projektit: “Hulumtimi i mundësisë së rikthimit të gazrave të procesit të djegies së linjitit në Termocentralin Kosova B”
Në ambientet e Fakultetit të Gjeoshkencave në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), u mbajt me sukses tryeza shkencore në kuadër të projektit:“Hulumtimi i mundësisë së rikthimit të gazrave të procesit të djegies së linjitit në Termocentralin Kosova B”,
bartuese e projektit: Prof. Zarife Bajraktari Gashi.
Projekti është mbështetur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) në kuadër të programit HEI’25, dhe ka për qëllim zhvillimin e kërkimit shkencor të ndërlidhur me mësimdhënien, duke analizuar alternativa për rikthimin e gazrave në procesin e djegies së linjitit – një hap drejt zvogëlimit të ndotjes dhe rritjes së efikasitetit energjetik në Termocentralin Kosova B.
U prezantuan rezultatet e arritura hulumtuese të projektit, u diskutua rëndësia e zbatimit të teknologjive të reja dhe ndikimi i tyre në politikat mjedisore dhe edukimin e brezave të rinj në fushat teknike dhe shkencore.
Ky projekt, përveç komponentës kërkimore, kontribuon edhe në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies në fushën e pirometalurgjisë dhe teknologjive të qëndrueshme industriale, si pjesë e përkushtimit të UIBM për të përgatitur kuadro të aftë për tregun e punës dhe sfidat mjedisore bashkëkohore.
