Ish – studentja e UIBM, Shpresa Musa, doktoron në Gjermani
Shpresa Musa, ish-studente e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, ka doktoruar të enjten në Universitetin Teknik të Mynihut (TUM) në Gjermani. Ajo ka doktoruar në Shkencat Natyrore dhe ka marrë vlerësimin më të lartë akademik “Magna cum laude”.
Musa ka përfunduar studimet bachelor në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore. Gjatë kohës se studimeve, veçohej me sukses të lartë dhe me angazhim të vazhdueshëm, bursiste universitare për dy vite radhazi. Ajo kishte fituar bursë të plotë dy vjeçare “Fulbright Scholarship” nga Ambasada Amerikane, për të vazhduar studimet master në Amerikë.
Pas përfundimit të vitit të parë në master, kishte nënshkruar kontratë si asistente kërkimore me Universitetin e Nebraskes-Lincoln, Në vitin 2019, fitoi bursën Erasmus në kuadër të bashkëpunimit ndëruniversitar me UMIB. Njëherit studioi një semestër të plotë në Holandë, në Universitetin e Shkencave të Aplikuara, Van Hall Larenstein.
Përveç që tregoi sukses të lartë në studimet profesionale, për një kohë të gjatë ishte e angazhuar me punë vullnetare. Gjatë kohës se studimeve ne UIBM, ka qenë nënkryetare e Parlamentit Studentor.
Ish studentja, Shpresa Musa, tashmë është një nga rrëfimet më të suksesshme të UIBM, krahas shumë të tjerëve që kanë krijuar emër me sukseset e tyre. Gjithashtu ajo është një nga ambasadorët më të mira të UIBM dhe Mitrovicës.
Suksesi i saj është mirëpritur nga drejtuesit e UIBM. Rektorja, prof.dr. Nurten Deva, ka shprehur urimet më të ngrohta për Shpresën, e cila me suksesin e saj ka bërë krenare familjen, UIBM dhe Mitrovicën.
