Aktivitet informues për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve në UIBM
Në kuadër të angazhimit për forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe integritetit institucional, Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë ka zhvilluar një aktivitet informues lidhur me Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Ky aktivitet është realizuar brenda hapësirave të institucionit dhe ka pasur për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe informimin e stafit administrativ për rëndësinë e sinjalizimit të praktikave të dyshimta, shkeljeve ligjore apo keqpërdorimeve eventuale në vendin e punës.
Takimi është udhëhequr nga Zyrtarja për Sinjalizim, Bahrie Sadiku, e cila ka prezantuar para stafit administrativ rolin, përgjegjësitë, procedurat e sinjalizimit dhe garantimin e konfidencialitetit dhe mbrojtjes së sinjalizuesve nga çdo formë hakmarrjeje ose diskriminimi.
Stafi është inkurajuar që të kontribuojë aktivisht në ndërtimin e një ambienti pune të sigurt, etik dhe transparent, duke u informuar dhe angazhuar në procesin e sinjalizimit kur është e nevojshme.
Universiteti “Isa Boletini” mbetet i përkushtuar në zbatimin e standardeve më të larta të qeverisjes së mirë dhe mbështet fuqishëm zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, si pjesë e reformave të vazhdueshme për një administratë efikase dhe të përgjegjshme.
