Prof.asoc.dr. Mirsade Osmani prezantoi një punim shkencor për nanogrimcat metalike në një konferencë shkencore në Çeki
Në kuadër të projektit kërkimor me titull “Investigating the impact of metal nanoparticles from Trepça smelter emissions on soil, water and crops in the Mitrovica region: Risk assessment and potential for transfer through the food chain”, Prof. Asoc. Dr. Mirsade Osmani ka prezantuar rezultatet shkencore të studimit të saj në konferencën ndërkombëtare shkencore Plant Metals, e cila u zhvillua gjatë periudhës 9-12 shtator në Republikën Çeke. Ajo mori pjesë në këtë konferencë me punimin: Assessing the effects of polluted soils containing metal nanoparticles on different traits of crops in the Mitrovica region, Kosovo
Gjatë kësaj konference, Prof. Osmani ka diskutuar rreth ndikimit të nanogrimcave metalike të emetuara nga shkritorja e “Trepçës” në mjedisin lokal duke përfshirë këtu tokën, ujin dhe kulturat bujqësore në rajonin e Mitrovicës. Përveç identifikimit të niveleve të kontaminimit, prezantimi përfshinte edhe vlerësimin e rrezikut për shëndetin publik dhe potencialin për transmetimin e këtyre metaleve përmes zinxhirit ushqimor, duke theksuar rëndësinë e monitorimit dhe menaxhimit të këtyre ndotësve në mënyrë që të sigurohet një mjedis më i sigurt për komunitetin lokal.
Rëndësia e pjesëmarrjes së profesoreshës në këtë konferencë fuqizon bashkëpunimet ndërkombëtare, por edhe nxjerr në pah punën kërkimore që po bëhet për adresimin e sfidave mjedisore në Kosovë. Hulumtimi është mbështetur nga NanoKos dhe financuar nga BE.
