Pritja solemne për studentët e rinj në Fakultetin Juridik
Sot, në ambientet e Fakultetit Juridik, u mbajt pritja solemne për studentët e rinj, me rastin e fillimit të vitit akademik 2025/2026.
Në hapje të këtij aktiviteti, studentëve ju drejtua me një fjalim përshëndetës Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Islam Qerimi, i cili në emër të menaxhmentit, stafit akademik dhe administrativ, u uroi atyre mirëseardhje të përzemërt në këtë institucion me traditë dhe vlera të larta akademike.
Në fjalën e tij, Dekani Qerimi theksoi se zgjedhja për të studiuar drejtësinë është më shumë se një vendim akademik – është një angazhim moral ndaj së drejtës, së vërtetës dhe drejtësisë. Ai i siguroi studentët se Fakulteti Juridik do të ofrojë një arsim cilësor, një ambient akademik sfidues por mbështetës, si dhe mundësi për përfshirje në aktivitete kërkimore, debate ligjore, praktikë profesionale dhe bashkëpunime ndërkombëtare.
Gjithashtu, Dekani i inkurajoi studentët që të jenë aktivë, kureshtarë dhe të përfshirë në jetën studentore, duke i ftuar që të mos hezitojnë të bëjnë pyetje, të kërkojnë ndihmë kur është e nevojshme dhe të shtyjnë kufijtë e njohurive. Sipas tij, suksesi nuk matet vetëm me nota, por me zhvillimin personal, qytetar dhe profesional. Në fund, ai i përgëzoi studentët për guximin dhe motivimin për të zgjedhur këtë fushë studimi.
Në vijim të ceremonisë, studentëve ju drejtua edhe Prof. Zahir Çerkini , i cili i inkurajoi që gjatë viteve të studimeve të jenë sa më aktivë dhe të angazhuar, me qëllim të ndërtimit të një baze të fortë për profesionin e juristit – përtej thjesht posedimit të një diplome.
Më pas, Avokati i Universitetit (Ombudsman), Ass. LLM Xhemajl Veliqi, PhD (c), i informoi studentët mbi aktet normative të Fakultetit dhe Universitetit, duke i njohur me të drejtat dhe përgjegjësitë që kanë gjatë studimeve.
Në përmbyllje, koordinatoret e studentëve i njoftuan të pranishmit me ambientet e Fakultetit, përfshirë sallat e ligjëratave dhe ushtrimeve, sallat për gjykim të simuluar, hapësirat për punë në grupe, bibliotekën dhe zyrat e administratës.

