T4

U mbajt “Dita e Pritjes” me rastin e 1 tetorit, fillimit të vitit akademik 2025/26

Me rastin e 1 tetorit, fillimit të vitit të ri akademik 2025/26 u mbajt të mërkurën “Dita e Pritjes” për studentët e vitit të parë në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë. Të pranishëm përveç studentëve ishin edhe drejtuesit e UIBM, stafi akademik dhe administrata.

Rektorja, prof.dr, Nurten Deva, ju ka uruar mirëseardhje studentëve në UIBM dhe i ka uruar ata për një vit të mbarë akademik dhe për suksese në studime. “Një përshëndetje të veçantë për studentët e vitit të parë, të cilët janë me ne sot këtu në “Ditë të Pritjes” dhe që do të rrugëtojnë bashkë me ne në rrugën e dijes.

Rektorja ka përkujtuar 1 tetorin e vitit 1997, kur studentët protestonin duke kërkuar të lejohej kthimi i tyre në objektet universitare prej ku ishin dëbuar me dhunë. “Në atë protestë shumë studentë u burgosën, shumë u maltretuan. Ajo ngjarje ishte si një lloj prologu i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e të cilës  u bënë edhe shumë studentë e profesorë, një numër i të cilëve sot janë dëshmorë”.

Duke ju drejtuar studentëve të vitit të parë, ajo tha se Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, ofron mundësi të mëdha për të ardhmen e tyre. “Ka një kampus modern, me salla, laboratorë dhe kabinete të pajisura me teknologjinë e fundit.  Mundësi të mëdha ofrohen edhe në kuadër të bashkëpunimit me universitete jashtë vendit, në kuadër të projekteve të ndryshme vendore e ndërkombëtare”, tha rektorja, duke shprehur mbështetjen e plotë të menaxhmentit, stafit akademik dhe administratës.

Një fjalë rasti e ka mbajtur edhe kryetarja e Parlamentit Studentor, Elmedina Kurti, e cila ka folur për organizimin e studentëve, përfaqësimin dhe vendimmarrjen e tyre. Në pjesën e dytë të programit është mbajtur një sesion informues nga drejtuesit dhe zyrtarët e administratës lidhur me pjesën që ka të bëj me informimin, përdorimin e SMU-së, shërbimet studentore dhe mundësitë që ofron Qendra për Zhvillim në Karrierë.

2t
Shperndaj ne: