Vizitë e profesorëve nga Savonia University of Applied Sciences në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore të UIBM
Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) dhe Savonia University of Applied Sciences (Finlandë), në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore u zhvillua një takim zyrtar dhe disa ligjërata interaktive me stafin akademik dhe studentët e programeve Bachelor dhe Master në Inxhinieri dhe Teknologji Ushqimore.
Profesorët nga Savonia University of Applied Sciences, Prof. dr. Ardita Hoxha-Jahja dhe Msc. Agnieszka Laherto, u pritën në takim nga Prof. dr. Mensur Kelmendi, Dekan i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, i cili në fjalën e tij mirëseardhëse theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve të tilla ndërkombëtare për përmirësimin e cilësisë akademike, zhvillimin e programeve të reja studimore dhe rritjen e mundësive për studentët dhe stafin e fakultetit.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimin e përbashkët të aktiviteteve në fushën e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe programeve të mobilitetit, me theks të veçantë në nxitjen e mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik ndërmjet dy institucioneve.
Në vijim, për studentët e fakultetit u mbajtën dy prezantime tematike:
- Msc. Agnieszka Laherto prezantoi temën “Cross-cultural glasses & MultiPro One Welfare students exchange program”, duke theksuar rëndësinë e ndërveprimit ndërkulturor dhe mundësitë që ofron programi “MultiPro One Welfare” për shkëmbime studentore dhe përvoja ndërkombëtare.
- Prof. dr. Ardita Hoxha-Jahja prezantoi temën “Food Agri Cluster”, ku ndau përvoja nga Finlanda lidhur me bashkëpunimin ndërmjet universiteteve, industrisë dhe sektorit bujqësor për nxitjen e inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në agro-industrinë ushqimore.




