Foto1

Vizitë e profesorëve nga Savonia University of Applied Sciences në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore të UIBM

Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) dhe Savonia University of Applied Sciences (Finlandë), në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore u zhvillua një takim zyrtar dhe disa ligjërata interaktive me stafin akademik dhe studentët e programeve Bachelor dhe Master në Inxhinieri dhe Teknologji Ushqimore.

Profesorët nga Savonia University of Applied Sciences, Prof. dr. Ardita Hoxha-Jahja dhe Msc. Agnieszka Laherto, u pritën në takim nga Prof. dr. Mensur Kelmendi, Dekan i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, i cili në fjalën e tij mirëseardhëse theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve të tilla ndërkombëtare për përmirësimin e cilësisë akademike, zhvillimin e programeve të reja studimore dhe rritjen e mundësive për studentët dhe stafin e fakultetit.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimin e përbashkët të aktiviteteve në fushën e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe programeve të mobilitetit, me theks të veçantë në nxitjen e mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik ndërmjet dy institucioneve.

Në vijim, për studentët e fakultetit u mbajtën dy prezantime tematike:

 

  • Msc. Agnieszka Laherto prezantoi temën “Cross-cultural glasses & MultiPro One Welfare students exchange program”, duke theksuar rëndësinë e ndërveprimit ndërkulturor dhe mundësitë që ofron programi “MultiPro One Welfare” për shkëmbime studentore dhe përvoja ndërkombëtare.
  • Prof. dr. Ardita Hoxha-Jahja prezantoi temën “Food Agri Cluster”, ku ndau përvoja nga Finlanda lidhur me bashkëpunimin ndërmjet universiteteve, industrisë dhe sektorit bujqësor për nxitjen e inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në agro-industrinë ushqimore.
Ky aktivitet është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të UIBM për forcimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe avancimin e cilësisë akademike, duke i ofruar studentëve mundësi të reja për zhvillim profesional dhe përfshirje në projekte ndërkombëtare. 
Foto3
Foto3
Foto5
Foto4
Foto2
Foto3Foto5Foto4Foto2
Shperndaj ne: