Një grup studentësh të Juridikut vizituan Qendrën Korrektuese në Smrekonicë
Një grup studentësh të Fakultetit Juridik, të shoqëruar nga dekani, prof. dr. Islam Qerimi, realizuan një vizitë studimore në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë. Ata u pritën nga drejtori i Qendrës, z. Avni Miftari. Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të fitojnë njohuri praktike mbi funksionimin e institucioneve korrektuese, në kuadër të lëndëve që po ndjekin, si E Drejta Penale, E Drejta Procedurale Penale, Kriminologjia dhe Viktimologjia.
Drejtori i Qendrës Korrektuese në Smrekonicë, z. Avni Miftari, foli për misionin e institucionit që drejton, me fokus në rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të dënuar në shoqëri në mënyrën më efektive të mundshme.
Në emër të Fakultetit Juridik, dekani Qerimi falënderoi drejtuesit e Qendrës për mikpritjen dhe mundësinë e krijuar për studentët, duke theksuar se kjo vizitë përbën një përvojë të vlefshme dhe frytdhënëse për zhvillimin e tyre profesional. Ai shprehu gjithashtu shpresën që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe të thellohet përmes aktiviteteve të përbashkëta, si ligjërata të hapura, tryeza shkencore dhe vizita të tjera studimore.


