Zhvilloi punimet Konferenca Ndërkombëtare dhe Ndërdisiplinore “Zhvillimi në Kohë të Trazuara” në Shkodër
Më 14 dhe 15 nëntor 2025, Konferenca Ndërkombëtare dhe Ndërdisiplinore “Zhvillimi në kohë të trazuara” zhvilloi punimet e saj në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, ku morën pjesë një mozaik i gjerë studiuesish dhe profesionistësh nga vende të ndryshme të botës. Gjatë konferencës u prezantuan:
180 punime dhe prezantime
275 autorë, bashkautorë dhe kontribues
Pjesëmarrës nga 26 shtete të ndryshme
Sesione plenare, sesione të përbashkëta dhe sesione tematike të përhershme
Kjo ishte konferenca e 20-të, e bashkorganizuar nga Instituti Shqiptar i Sociologjisë, Forumi Ballkanik i Sociologëve, si dhe një sërë universitetesh e institutesh nga rajoni dhe më gjerë, të cilat veprojnë si partnere në organizimin e konferencës. Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë është bashkorganizator i kësaj konference që nga viti 2017. Në vitin 2018 punimet e konferencës u zhvilluan pikërisht në këtë universitet, nën koordinimin dhe përfaqësimin e vazhdueshëm të Prof. Asoc. Dr. Besim Gollopeni ndër vite.
Në këtë edicion, Prof. Gollopeni, në cilësinë e koordinatorit të institucioneve partnere, mbajti një fjalë në seancën plenare të konferencës.
Gjatë konferencës u promovua edhe libri i fundit i autorëve Prof. Asoc. Dr. Besim Gollopeni dhe Prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberi, me titull “Edukimi për Qytetarinë”.
Konferenca mbylli punimet me zotimin që edicioni i vitit 2026 do të zhvillohet në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”, në Kosovë.



