Shkëmbim përvojash me Sektorin e Karrierës Studentore dhe Alumni në Universitetin “Fan Noli” në Korçë
Drejtues dhe zyrtarë të Qendrës për Zhvillim në Karrierë (QZHK) në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) kanë mbajtur të mërkurën një takim online me homologët nga Universiteti “Fan Noli” në Korçë me qëllim të shkëmbimit të përvojave. Në takim u diskutua për mënyrën e organizimit të QZHK-së në të dyja universitetet, praktikat e bashkëpunimit me studentë dhe gjurmimin e studentëve Alumni.
Drejtori për Informim dhe Komunikim me Publikun në UIBM, Ahmet Jashari, e falënderoi përgjegjësin e Sektorit të Karrierës Studentore dhe Alumni, Romeo Terolli, për gatishmërinë për bashkëpunim duke pasur parasysh përvojën e mirë që ka Universiteti “Fan Noli”. Ndërsa, zyrtari i Lartë i QZHK-së në UIBM, Erzen Isufi, tha se është një mundësi e mirë që të shihen praktikat e mira të të dy universiteteve në mënyrë që të përfitojnë të dyja palët.
Në anën tjetër, përgjegjësi i Sektorit të Karrierës Studentore dhe Alumni në Universitetin “Fan Noli” në Korçë, Romeo Terolli, shprehu gatishmërinë për t’u përfshirë në aktivitete të përbashkëta me QZHK në UIBM. Ai e vlerësoi të rëndësishme edhe përfshirjen e administratës dhe studentëve të të dy universiteteve në aktivitete të ndryshme me interes reciprok.
