Dr. Ellen L. Yee fillon zyrtarisht implementimin e projektit Fulbright Specialist në Fakultetin Juridik
Në ambientet e Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), ka filluar zyrtarisht implementimi i projektit Fulbright Specialist nga Prof. Dr. Ellen L. Yee, profesore e së Drejtës dhe Drejtoreshë e Programeve Ndërkombëtare në Drake University Law School, SHBA.
Me këtë rast, Dr. Yee u prit zyrtarisht nga Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Islam Qerimi, së bashku me anëtarë të menaxhmentit dhe stafit akademik të fakultetit. Gjatë takimit u diskutuan qëllimet kryesore të projektit, prioritetet strategjike si dhe format e bashkëpunimit akademik gjatë periudhës së implementimit.
Projekti me titull “Internationalizing UIBM’s Legal Curriculum for Impact”, i mbështetur nga Programi Fulbright Specialist, synon modernizimin dhe ndërkombëtarizimin e kurrikulës së programit Bachelor në Drejtësi, duke e përafruar atë me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Fokus i veçantë i projektit është integrimi i perspektivave ndërkombëtare dhe krahasuese në syllabuset ekzistuese, forcimi i kapaciteteve të stafit akademik si dhe zhvillimi i partneriteteve të qëndrueshme ndërinstitucionale.
Dekani Prof. Dr. Islam Qerimi theksoi rëndësinë e këtij projekti për Fakultetin Juridik, duke vlerësuar kontributin e Dr. Yee në avancimin e cilësisë akademike dhe përgatitjen globale të studentëve.
Gjatë qëndrimit të saj në UIBM, Dr. Ellen L. Yee do të zhvillojë trajnime, punëtori, konsultime individuale dhe aktivitete të tjera akademike në bashkëpunim me stafin akademik dhe administrativ të Fakultetit Juridik.


