UIBM zgjeron bashkëpunimin me universitete dhe institucione të arsimit të lartë në mbarë Evropën
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në fushën e ndërkombëtarizimit, duke zgjeruar ndjeshëm bashkëpunimin me universitete dhe institucione të arsimit të lartë në mbarë Evropën. Këto arritje janë rezultat i punës së palodhshme dhe të koordinuar të Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe stafit të UIBM.
Falë marrëveshjeve të shumta të nënshkruara, veçanërisht në kuadër të programit Erasmus+, studentëve të UIBM-it u është hapur mundësia që të ndjekin studime dhe shkëmbime akademike në universitete prestigjioze evropiane. Po ashtu, stafi akademik ka mundësi të përfitojë nga mobilitetet për trajnim, mësimdhënie dhe praktika profesionale në universitete partnere, ndërsa stafi administrativ ka rastin të njihet nga afër me praktikat më të mira të punës dhe menaxhimit universitar në institucionet evropiane të arsimit të lartë.
Një përfitim shumë i rëndësishëm për studentët e UIBM-it është fakti se, pas arritjes së këtyre marrëveshjeve, ata nuk kanë më nevojë të brengosen për aspektin financiar të mobiliteteve. Të gjitha shpenzimet gjatë qëndrimit në universitetet pritëse, përfshirë udhëtimin, akomodimin dhe shpenzimet jetësore, mbulohen nga programi Erasmus+, duke u mundësuar studentëve të fokusohen plotësisht në zhvillimin e tyre akademik dhe profesional.
Këto marrëveshje kanë një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në rritjen e cilësisë së kërkimit shkencor në UIBM. Përvojat e deritanishme tregojnë se, pas mobiliteteve të stafit akademik, janë krijuar kontakte të reja me partnerë ndërkombëtarë, të cilat kanë rezultuar në ide konkrete për projekte të përbashkëta kërkimore dhe rritje të numrit të publikimeve shkencore.
Rëndësia e këtyre marrëveshjeve reflektohet gjithashtu edhe në drejtim të kundërt të mobilitetit. UIBM pret që, në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara, të mirëpresë një numër të konsiderueshëm studentësh dhe staf akademik nga universitetet partnere evropiane. Kjo do të kontribuojë në shkëmbimin e përvojave, pasurimin e jetës akademike dhe forcimin e mëtejshëm të dimensionit ndërkombëtar të universitetit.
Të gjitha këto dëshmojnë se ndërkombëtarizimi nuk është vetëm një objektiv strategjik i UIBM-it, por një realitet i arritur me sukses. Këto marrëveshje përfaqësojnë një arritje të jashtëzakonshme për Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” dhe një hap të rëndësishëm drejt rritjes së cilësisë, vizibilitetit dhe konkurrueshmërisë së tij në hapësirën evropiane të arsimit të lartë.
